Përshëndetja e Rektorit

                                                    

 

Të dashur studentë,

Mirë se vini në Universitetin jo publik shqiptar “Albanian University”.

Ky Universitet prej më shumë se 16 vite kontribuon me shumë përgjegjësi në formim akademik, kërkim  shkencor dhe promovim  të vlerave kombëtare dhe evropiane në ndërtimin e shoqërisë, bazuar në dije.

 

Universiteti ynë është i ndërtuar që në fillimet e tij dhe vazhdon të jetë i orientuar drejt institucionit modern të arsimit të lartë duke u bërë dritare e dijes.

 “Albanian University”, është tempulli ku shumë të rinj, sot dhe në të ardhmen do të kalojnë vitet më të mira të jetës së tyre,  ku dëshira dhe puna për të finalizuar studimet bëhet motiv e mundëson  siguri për karrierë profesionale.

Si Rektor i këtij Universiteti, unë ndiej një përgjegjësi dhe detyrim të madh për të mbështetur gjithë integrimin dhe aktivitetin tuaj universitar, në respekt të formimit tuaj kulturor dhe arsimor, bazuar në parimet humanitare: në të drejtën për arsimim, në vlerat etike dhe morale, në lirinë akademike dhe autonominë, e mbi të gjitha në legjitimitetin e çdo programi që ofron “Albanian University”, në cilësinë e lartë akademike si dhe në gatishmërinë për t’i zbatuar këto programe, me staf akademik dhe administrativ nga më cilësorët në vend, me  punë në ekip dhe me partneritet kombëtar e ndërkombëtar.

Të dashur studentë,

“Albanian University” ju jep mundësi për bashkërendimin e interesave tuaja akademike, motivet, dëshirat, talentet, që të realizohen në laboratorët shkencore dhe klinikën universitare, në qendrat studentore, ambientet kulturore, sportive, biblioteka, televizion, pjesëmarrje konkrete në punë shkencore dhe shumë mundësi të tjera që mund të krijoni së bashku me kolegët tuaj.  Duke lënë emrin tuaj, kujtimet dhe shumë momente të mbushura me dashuri ne Universitetin tonë, njëherazi, ju mbartni përjetësisht vlerën intelektuale marrë në Albanian University, këtë tempull të dijes shqiptare.

Me mirënjohje dhe respekt nga të gjithë të punësuarit në Universitet, ju falënderoj për zgjedhjen tuaj për të studiuar në “Albanian University”!