Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme

Përgjegjës Departamenti: Dr. Elisabeta KAFIA

Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme, pjesë e Fakultetit të Shkencave Shoqërore në Albanian University, i ka fillesat e tij në vitin 2006, kur edhe ka pritur brezin e parë të studentëve.

Departamenti ofron programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë si më poshtë:

  • Bachelor në “Psikologji e Përgjithshme”
  • Master profesional në “Psikologji Shkollore”,
  • Master profesional në “Psikologji Klinike”,
  • Master i Shkencave në “Psikologji Klinike”.

Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme ka si mision kryesor përgatitjen e profesionistëve të aftë si nga pikëpamja teorike ashtu edhe praktike në drejtim të çështjeve të psikologjisë dhe lidhjes së këtyre çështjeve me mirëqenien psiko-sociale të individit dhe komunitetit. Gjithashtu ky departament ka si mision edukimin e komuniteteve me nevoja të veçanta, si dhe ofrimin e modeleve bashkëkohore për të nxitur dhe fuqizuar qytetarët.

Për arritjen e misionit të tij, Departamenti i Psikologjisë së Përgjithshme realizon procesin e mësimdhënies, kërkimin shkencor si dhe ofrimin e shërbimeve komunitare në kuadër të përmbushjes së përgjegjësisë sociale.

Veprimtaritë specifike të kërkimit shkencor përfshijnë një varietet fushash të psikologjisë si psikologjia klinike, konjitive, e punës, e shëndetit, sociale, e zhvillimit dhe proceseve edukative. Duke u nisur nga kjo perspektivë multi-disiplinare, studimi i sjelljes dhe i funksioneve njohëse realizohet përmes perspektivave hulumtuese dhe metodologjive të ndryshme, kjo në varësi të specializimit të stafit akademik dhe kërkuesve shkencorë që janë pjesë e Departamentit të Psikologjisë së Përgjithshme.

Programet mësimore të Departamentit të Psikologjisë së Përgjithshme janë mbështetur në modele të kurrikulave të shkollave amerikane dhe evropiane të psikologjisë dhe janë hartuar duke marrë në konsideratë zhvillimet më të fundit të shkencës së psikologjisë si dhe kërkesat e tregut shqiptar të punës.

Programi i studimit Bachelor në “Psikologji e Përgjithshme”

Programii studimit Bachelor në “Psikologji e Përgjithshme” është licencuar me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nr. 8981, dt. 27.12.2005 dhe akredituar me Urdhrin Nr. 541, dt. 01.12.2010.

Ky program ka si mision të tij përgatitjen e një brezi të ri profesionistësh në fushën e psikologjisë, të aftë për të kuptuar dhe trajtuar me profesionalizëm, etikë, dhe në respekt të dinjitetit dhe integritetit njerëzor, problematikat psiko-sociale me të cilat ndeshen individët dhe shoqëria shqiptare. Programi Bachelor në “Psikologji e Përgjithshme” shtrihet në 3 vite studimi, në të cilat përfshihen  lëndë të formimit të përgjithshëm, lëndë plotësuese, lëndë me zgjedhje si dhe lëndë bazë të formimit profesional, që studentët do të dëshirojnë të ndjekin në studimet e nivelit të dytë. Praktika mësimore realizohet gjatë semestrit të dytë të vitit të 3.

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e programit Bachelor janë:

  • Spitale dhe klinika publike e private për fëmijë dhe adoleshentë;
  • Organizata jo-fitimprurëse.

Programi i studimit Master profesional në “Psikologji Shkollore”

Programi i studimit Master profesional në “Psikologji Shkollore” është licensuar me Urdhër të MASH Nr.202, datë 28.05.2013, akredituar me VBA nr.44, datë 19.05.2017.

Ky program synon të ofrojë arsim dhe trajnim të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës profesional për aplikimin e teorive, dijeve, aftësive dhe kompetencave psikologjike në sistemin shkollor. Programi i studimit është ndërtuar në mënyrë që të formojë psikologë shkollorë të cilët të jenë të aftë të ofrojnë shërbimin më të përshtatshëm për komunitetin e shkollës.

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e këtij programi janë:

  • Sistemi edukativ parauniversitar dhe parashkollor publik e privat;
  • Qendra komunitare që ofrojnë shërbime psiko-sociale për fëmijët dhe adoleshentët;
  • Institucione publike që hartojnë politika për fëmijët dhe adoleshentët;
  • Organizata jo-fitimprurëse;
  • Institucione dhe organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të miturve, etj.

Programi i studimit Master profesional në “Psikologji Klinike”

Programi i studimit Master profesional në “Psikologji Klinike” është  licencuar me VKM. Nr.89, datë 10.02.2010 dhe akredituar me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr.327, datë 07.08.2012.

Ky program është ndërtuar për t’iu përgjigjur nevojës së shumë psikologëve për t’u njohur me metodat më efikase për trajtimin e problematikave të ndryshme psikologjike.  Psikologët  klinikë  synojnë të ofrojnë shërbimin e tyre duke u mbështetur në njohuri dhe aftësi të cilat mbështeten  në modele bashkëkohore teorike dhe praktike të fushës së psikologjisë. Synimi i këtij programi studimi është t’iu paraqesë studentëve mënyrat e trajtimit duke përfshirë ato tradicionale sikurse  janë ndërhyrjet e ndryshme psikoterapeutike, si  terapia konjitivo-biheviorale, terapia familjare, terapia në grup etj. Vëmendja e studentit do të drejtohet drejt zhvillimeve më të fundit të trajtimit  të simptomatikave psikologjike e për rrjedhojë përmirësimin e shëndetit mendor. Ndërhyrje të tilla përfshijnë ushtrime psikoterapeutike, bio dhe neurofeedback-un, hipnozën, meditimin, etj.  Klinicistët udhëhiqen drejt ndërtimit dhe përdorimit në vazhdimësi të protokolleve të trajtimit, të cilat parashikojnë edhe trajtimin multidisiplinar të pacientit.

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e këtij programi janë:

  • Institucione të ndryshme kërkimore, të tilla si universitete, agjenci, organizata apo fondacione kërkimi;
  • Praktikantë të lirë duke siguruar këshillim, terapi, vlerësim dhe konsultim ndaj individëve, familjeve, grupeve dhe organizatave;
  • Mjediset apo qendrat që ofrojnë shërbime në përkujdesje të shëndetit mendor të tilla si spitalet psikiatrike, shtëpitë e mbështetura, qendrat komunitare të shëndetit mendor, institucione dhe organizata jo fitimprurëse të ndryshme me fokus ofrimin mbështetjen, dhe rehabilitimin e individëve (fëmijë, adoleshentë, të rritur, të moshuar) me probleme të shëndetit mendor.

Programi i studimit Master i Shkencave në “Psikologji Klinike”

Programi i studimit Master i Shkencave në Psikologji Klinike është licencuar me VKM.nr 597, dt.28.05.2009, plotësuar me Urdhër të MASH Nr.308, dt.08.06.2010, akredituar me Urdhër të MASH Nr.327,dt 07.08.2012, si dhe riakredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit Nr. 85, dt. 07.12.2018.

Ky program synon t’u paraqesë studentëve një vlerësim të thelluar të metodave dhe teknikave për vlerësimin dhe ndërhyrjet klinike. Programi i studimit është mbështetur mbi modelin e sistemeve biopsikologjike të të kuptuarit të sjelljes njerëzore dhe ky program i ofron studentëve një panoramë të detajuar të detyrave dhe aftësive klinike të cilat janë themelet e punës së psikologut klinik. Studentët do të pajisen me informacion të zgjeruar lidhur me metodat e kërkimit, çështje të etikës, diversitetit kulturor, vlerësimit, psikoterapisë, dhe në mënyrë më të specifikuar, me aftësi praktike në secilën nga çështjet e mësipërme. Ky program do t’iu vijë në ndihmë studentëve për të kuptuar me thellë praktikën e punës së psikologut klinik.

Mundësitë e ndryshme të punësimit, metodat bashkëkohore të vlerësimit dhe trajtimit klinik si dhe çështje ligjore dhe etike që rregullojnë profesionin e psikologut klinik do të përshkojnë në tërësi programin e studimit.

 

Sektorët e mundshëm të punësimit me përfundimin e këtij programi janë:

  • Institucione të ndryshme kërkimore, të tilla si universitete, agjenci, organizata apo fondacione kërkimi;
  • Praktikantë të lirë duke siguruar këshillim, terapi, vlerësim dhe konsultim ndaj individëve, familjeve, grupeve dhe organizatave;
  • Mjediset apo qendrat që ofrojnë shërbime në përkujdesje të shëndetit mendor të tilla si spitalet psikiatrike, shtëpitë e mbështetura, qendrat komunitare të shëndetit mendor, institucione dhe organizata jo fitimprurëse të ndryshme me fokus ofrimin mbështetjen, dhe rehabilitimin e individëve (fëmijë, adoleshentë, të rritur, të moshuar) me probleme të shëndetit mendor;
  • Organizata jo-fitimprurëse;
  • Spitale dhe klinika publike e private për fëmijë dhe adoleshentë;