Përgjegjës Departamenti: Dr. Gilberta HADAJ
Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes bën pjesë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Për herë të parë është ngritur në vitin 2010. Aktualisht, Departamenti i Anglishtes dhe Edukimit ofron tre programe studimi të ciklit të parë Bachelor dhe një program të ciklit të dytë, Master profesional në “Pedagogji” me 2 profile “Didaktikë” dhe “Menaxhim Arsimi”. Për vitin akademik 2019-2020, Albanian University ka aplikuar pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për hapjen e programeve të reja studimi të cilat do të ofrohen nga Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes: Master profesional në “Gjuhë angleze” me 2 profile: “Anglistikë-Amerikanistikë” dhe “Përkthim” dhe programin me karakter profesional “Kujdes profesional ndaj fëmijëve”.
Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor”
Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor” është liçencuar me Urdhër të MASH Nr. 251, datë 02.06.2011 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 34, datë 19.05.2017.
Ky program përgatit mësues për klasat e ciklit të ulët të arsimit bazë ose klasat I-V. Ky program ka si objektiv kryesor pajisjen e studentëve me njohuritë dhe aftësitë bazë që shërbejnë, në punët e përditshme si edukator. Gjithashtu programi i studimit “Mësuesi në arsimin fillor”, i mundëson studentëve thellimin e njohurive të tyre, në studimet e nivelit të dytë në Master profesional në “Pedagogji” me dy profile: “Didaktikë” dhe “Menaxhim Arsimi”.
Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Fillor” synon të formojë personel të aftë që të punojnë në tregun kombëtar të punës:
- Në shkolla të arsimit publik apo privat si mësues të ciklit të ulët të arsimit bazë 9-vjeçar;
- Në drejtori arsimore rajonale ose zyra arsimore të bashkive si specialistë të arsimit fillor;
- Në agjenci publike ose private si specialistë të arsimit fillor;
- Në OJQ të specializuara për punë edukative si trajnues dhe këshillues për edukimin e fëmijëve të moshës 6-11 vjeç.
Programi Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Parashkollor”
Programi i studimit Bachelor në “Mësuesi për Arsimin Parashkollor” është licencuar me Urdhër të MASH Nr. 251, datë 02.06.2011 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 35, datë 19.05.2017.
Ky program konsiston në përgatitjen e mësuesve që do të punojnë me fëmijët e moshës 3-7 vjeç të cilët janë regjistruar në institucionet parashkollore publike dhe private, të tilla si qendra të kujdesit të fëmijëve, kopshte të fëmijëve, etj. Studentët që do të diplomohen në programin Bachelore në “Mësuesi për arsimin parashkollor” do të kenë këto mundësi në tregun e punës:
- në institucionet publike dhe private të arsimit parashkollor (kopshte) si mësues ose edukatorë kopshti;
- në institucionet publike dhe private të arsimit parashkollor (kopshte) si drejtues ose menaxherë;
- në institucionet private të arsimit parashkollor (qendra të kujdesit për fëmijë) si mësues, edukatorë ose kujdestarë;
- në drejtori arsimore rajonale/zyra arsimore si dhe qendrat arsimore të bashkive si specialistë të edukimit parashkollor.
Programi bachelor në “Anglisht”
Programi i studimit Bachelor në “Anglisht” është licencuar me Urdhër të MASH Nr. 199, datë 16.05.2012 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit të ASCAL Nr. 50, datë 10.07.2017.
Ky program, ofruar nga Departamenti i Edukimit dhe Anglishtes, është program studimi i ciklit të parë, me kohëzgjatje normale 3 vjet, 180 kredite (ECTS) dhe forma e studimit është me kohë të plotë. Programi synon të pajisë studentët me njohuri të thelluara për gjuhën dhe kulturën angleze dhe amerikane. Në përfundim të programit 3-vjeçar, për të fituar diplomën Bachelor, studentët do të kenë përvetësuar dije që synojnë formimin e njohurive teorike bazë dhe shprehive të përdorimit praktik të gjuhës angleze, duke pasur në vëmendje nevojat që ka tregu i punës për njohës profesionistë të kësaj gjuhe. Gjithashtu, ky program u ofron studentëve baza njohurish për një zhvillim të mëtejshëm në programe te specializuara, që orientohen në studimin e profileve të detajuara të gjuhës angleze, të nivelit master apo në kurse specifike trajnimi.
Në përfundim të studimeve të ciklit Bachelor të diplomuarit mund të punësohen;
- Në institucionet qeveritare apo joqeveritare ku kërkohen zotërues të përgatitur të gjuhës angleze në rolin e përkthyesit apo si asistentë në projektet që punojnë kryesisht me gjuhën angleze;
- Në administratën arsimore rajonale;
- Në agjenci të ndryshme shërbimesh;
- Në qendrat e mësimit të gjuhës së huaj;
- Në institucionet mediatike;
- Në organizatat ndërkombëtare.
Programi i studimit Master Profesional në “Pedagogji”
Programi i studimit Master profesional në “Pedagogji” ofrohet në dy profile: “Didaktikë” dhe “Menaxhim Arsimi”.
Ky program është licencuar me VKM Nr. 89, datë 10.02.2010 dhe akredituar me Vendim të Bordit të Akreditimit nr. 56, dt. 05.07.2019. Ky program studimi është riorganizuar në 60 kredite që zhvillohen në një vit akademik, bazuar në Ligjin 80/2015, si dhe në përputhje me aktet nënligjore në fuqi.
Studentët e profilit “Menaxhim Arsimi” do të formohen me konceptet, idetë dhe parimet teorike të menaxhimit të arsimit. Gjithashtu ata kanë mundësinë të pajisen me njohuri të mjaftueshme për legjislacionin, strategjitë dhe politikat arsimore dhe ato të drejtimit të shkollës dhe arsimit si edhe formëson tek ata aftësi dhe shprehi për veprimtari drejtuese dhe menaxhuese të shkollës dhe arsimit.
Studentët e profilit “Didaktikë” do të kuptojnë në teori dhe praktikë se ç’do të thotë “mësimdhënie” e suksesshme, do të kuptojnë rëndësinë e menaxhimit efektiv të klasës për të arritur një “mësimnxënie të suksesshme” si edhe do të njihen me komponentët, teknikat dhe strategjitë mësimore. Është shumë e rëndësishme që studentët të përditësohen me kompetencat që duhet të fitojë nxënësi gjatë orës së mësimit si dhe teknikat bashkëkohore që duhet të ketë mësuesi për të përcjellë këto kompetenca në arsimin para universitar.
Profili: Menaxhim Arsimi
Programi MP në Pedagogji sigurohet në dy profile: Menaxhim Arsimi dhe Didaktikë.
Studentët e profilit Menaxhim Arsimi do të formohen me konceptet, idetë dhe parimet teorike të menaxhimit të arsimit. Gjithashtu ai i formon ata me njohuri të mjaftueshme për legjislacionin, strategjitë dhe politikat arsimore dhe ato të drejtimit të shkollës dhe arsimit si edhe formëson te ata aftësi dhe shprehi për veprimtari drejtuese dhe menaxhuese të shkollës dhe arsimit.
Studentët e profilit Didaktikë do të kuptojnë në teori dhe praktikë se ç’do të thotë “mësimdhënie” e suksesshme, do të kuptojnë rëndësinë e menaxhimit efektiv të klasës për të arritur një “mësimnxënie të suksesshme” si edhe do të njihen me komponentët, teknikat dhe strategjitë mësimore.