Përgjegjës Departamentit: Ph.D. Xhejni BORSHI
Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë është pjesë e Fakultetit të Shkencave Mjekësore. Aktualisht, Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë ofron këto programe studimi:
- Bachelor “Infermieri”,
- Bachelor në “Fizioterapi”,
- Master profesional në “Infermieri Kirurgjikale”
- Master professional në “Terapi Manuale”.
Stafi akademik përbëhet nga specialistë të fushës së mjekësisë dhe fizioterapisë të cilët kanë tituj dhe grada të ndryshme shkencore. Eksperienca e gjerë e stafit akademik në fushën e mjekësisë dhe fizioterapisë tregon për një përgatitje serioze dhe efektive në procesin e mësimdhënies.
Për vitin akademik 2019-2020, Albanian University ka aplikuar pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për hapjen e programit të ri të studimit që do të ofrohet nga Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë:
- Master profesional në “Infermieristika e sëmundjeve kronike dhe gerodontologjia”
Albanian University është në pritje të Urdhrit të miratimit nga MASR për hapjen e programit.
Bachelor në “Infermieri”
Programi i studimit Bachelor në “Infermieri”, në Albanian University është hapur me Urdhër Nr. 411, datë 25.08.2011 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe akredituar nga ASCAL me Vendim Bordi të Akreditimit Nr. 31, datë 19.05.2017. Ky program synon të përgatisë studentë të cilët të kenë përvetësuar njohuritë bazë dhe të nevojshme për të zotëruar kapacitetet që duhet të përbëjnë një infermier të përgjithshëm. Kurrikula që përbën këtë program studimi ka një kohëzgjatje të rregullt tre vjeçare dhe është ideuar që të pajisë studentët në vitin e parë të studimit me njohuritë të lëndëve bazë të çdo fushe të mjekësisë siç janë: anatomia, fiziologjia, biokimia, etj. Krahas këtyre lëndëve të formimit bazë, studentët kanë mundësi të përvetësojnë njohuri të lëndëve integruese, siç janë: statistika, informatika dhe gjuha e huaj, njohuri këto, të cilat do të kompletojnë dijet e studentit në ushtrimin e profesionit. Gjatë vitit të dytë dhe të tretë studentët do të pajisen me njohuri specifike dhe praktike, të cilat do të plotësojnë formimin profesional të infermierit të përgjithshëm.
Këto njohuri do t’i shërbejnë studentëve që të forcojnë më tepër sensin praktik të punës. Studentët në fund të programit do të jenë të aftë të ndërmarrin studime të mëtejshme të avancuara në fusha të specializuara të vlefshme për specifikën shqiptare dhe profesionistët e kësaj fushe në Shqipëri. Njohuritë akademikë që ofron ky program studimi synojnë të krijojnë krahas modelit të përkujdesjes së infermierisë së përgjithshme edhe pajisjen e studentëve me njohuri në disa fusha specifike të shkencave mjekësore, në mënyrë që ky program studimi të mos orientojë studentin vetëm në tregun e punës por dhe ti krijojë bazat dhe njohuritë për specializime të mëtejshme.
Bachelor në “Fizioterapi”
Programi i studimit Bachelor në “Fizioterapi” është hapur me Urdhër Nr. 199, datë 16.05.2012 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe akredituar nga ASCAL me Vendim Bordi të Akreditimit Nr. 30, datë 19.05.2017. Ky program përfshin lëndë të nivelit teorik dhe praktik të fushës së “Fizioterapisë” dhe fokusi primar është të përgatisë Fizioterapistë të përgjithshëm. Ky program studimi synon të pajisë studentët me njohuri profesionale në ushtrimin e profesionit të fizioterapistit, në një cikël 3-vjeçar studimi, gjithashtu njohuritë e përfituara në studimin Bachelor i japin mundësi studentit të vazhdojë studimet Master.
Studenti i përfiton njohuritë teorike në klasë ku përdoren metoda bashkëkohore për mësimdhënien si dhe ato praktike në qendrat e specializuara në drejtim të fizioterapisë.
Në përfundim të ciklit 3 vjeçar studentët do të jenë të aftë të aplikojnë metodikat profesionale për trajtimin, parandalimin dhe rehabilitimin në dëmtimet trupore, të patologjive për shkaqe të ndryshme të lindura ose të fituara tek pacientët në qendra të specializuara apo klinika.
Master Profesional në “Terapi manuale”
Programi i studimit Master profesional në “Terapi Manuale” është hapur me Urdhër Nr. 671, datë 12.10.2018 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ky program është një ndërthurje teoriko-praktike në të cilën baza e trajnimit është në përputhje me standardet evropiane. Në mënyrë të veçantë ky program ka për qëllim të nxisë një kulturë terapeutike të integruar në kuadër të terapisë manuale, bazuar në parimet; vizion biopsikosocial i problemit të pacientit, një metodologji klinike e mësimdhënies që kombinon prova kërkimore dhe dëshmi empirike, një metodologji kërkimore e artikuluar në funksion të problemeve te ndryshme dhe bazave epistemologjike të referencave bibliografike, një krahasim pozitiv me shkollat e ndryshme dhe traditat e terapisë manuale.
Në këtë program kanë mundësi të studiojnë Fizioterapistë të cilët kanë kryer arsim tre vjeçar (cikli i parë Bachelor) në degën e Fizioterapisë dhe kërkojnë të thellojnë me tej njohuritë e tyre në një specialitet më të ngushtë atë të Terapisë Manuale.
Kurrikula e këtij program studimi ka një kohëzgjatje të rregullt të planifikuar në 2 semestra dhe me një numër në total 60 Kredite. Programi i lëndëve në semestrin e parë të studimit është ideuar që të mundësojë pajisjen e studentëve me njohuri më të thelluara në nivelin teorik si psh mbi Kineziologjinë, Biomekanikën e Aplikuar, Teorinë e Terapisë Manuale duke e alternuar me njohuri të nivelit praktik siç janë lëndët e Metodologjia e Terapisë Manuale dhe Praktikë Profesionale.
Krahas këtyre lëndëve, studentët kanë mundësinë të përvetësojnë njohuri specifike që lidhen me specialitete si: Neurologji, Neurofiziologji dhe në semestrin e dytë përvetësojnë njohuri mbi Ortopedinë, Traumatologjinë Sportive dhe Reumatologjinë. Në semestrin e dytë studentët përvetësojnë njohuri teorike dhe praktike te lidhura ngushtë me Rehabilitimin në Terapinë Manuale Gjatë të dy semestrave është planifikuar një sasi orësh Praktikë Profesionale e cila do të plotësojë formimin profesional në Terapi Manuale.
Fizioterapisti që përfundon me sukses studimet e Masterit Profesional në “Terapi Manuale”: do të zotërojë një standard të lartë të aftësive manuale në ekzekutimin e manovrave dhe vlerësimit funksional dhe terapeutik, do të jetë në gjendje të zgjedhë një teknike adapte nga
variacionet terapeutike si rezultat i një procesi të integrimit të personelit klinik me provat më të mira shkencore në dispozicion, bazuar në parimet e mjekësisë, bazuar në dëshmi, procedurat më të përshtatshme te vlerësimit terapeutike për pacientë të veçantë, do të jetë në gjendje të ndërhyjë ne riaftësimin e pacientit që vuan nga çrregullime muskuloskeletike, do të formulojë një plan-trajtimi të bazuar në prognozën e pacientit, të përgatitur në bazë të Klasifikimit Ndërkombëtar për Funksionimin e tij (ICF).
Master profesional në “Infermieristika e sëmundjeve kronike dhe gerodontologjia” *
Programi i studimit Master profesional në “Infermieristika e Sëmundjeve Kronike dhe Gerodontologjia”. ka për qëllim aplikimin në praktikë të njohurive dhe aftësive të fituara në kurset teorike dhe praktike të karakterit të mirëfilltë profesional nga fusha e Infermieristikës së Sëmundjeve Kronike dhe Gerodontologji. duke synuar në përgatitjen ose kualifikimin e mëtejshëm të studentëve të Infermierisë.
Në këtë program kanë mundësi të studiojnë Infermierë të cilët kanë kryer arsim tre vjeçar (cikli i parë Bachelor) në degën e Infermierisë dhe kërkojnë të thellojnë me tej njohuritë e tyre në një specialitet më të ngushtë atë të Infermieristikës së Sëmundjeve Kronike dhe Gerodontologji.
Kurrikula e këtij program studimi ka një kohëzgjatje të rregullt të planifikuar në 2 semestra dhe me një numër në total 60 Kredite. Programi i lëndëve në semestrin e parë të studimit është ideuar që të mundësojë pajisjen e studentëve me njohuri më të thelluara në nivelin teorik si psh mbi Fiziopatologjinë, Farmakologjinë Klinike. Krahas këtyre lëndëve, studentët kanë mundësinë të përvetësojnë njohuri specifike që lidhen me specialitete si: Infermieristika në Neurologji, Infermieristika në Psikiatri, Infermieristika në Geriartri, Infermieristika ne Kardiologji, Infemieristika në Shërbimin Paliativ, në semestrin e dytë përvetësojnë njohuri mbi Infermieristikën në Terapinë Okupacionale, Infermieristika në Specilaitete. Në semestrin e dytë studentët përvetësojnë njohuri teorike dhe praktike te lidhura ngushtë me Infermieristika dhe Shërbimin ambulator në Geriartri si një risi e kurrikulës duke e bërë atë bashkëkohore.
Gjatë të dy semestrave është planifikuar një sasi orësh Praktikë Profesionale e cila do të plotësojë formimin profesional në “Infermieristika e Sëmundjeve Kronike dhe Gerodontologjia”.
* Albanian University është në pritje të Urdhrit të miratimit nga MASR për hapjen e programit në vitin akademik 2019-2020.
Aktivitetet ekstrakurrikulare të Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë
Në vitin akademik 2012-2013 Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë ka organizuar 2 konferenca shkencore në rang Departamenti me tema: “HIV-AIDS, Parandalimi dhe trajtimi”. “Statistika në vendin tonë”, 7 dhjetor 2012 në Tiranë; “Infermieria në kujdesin parësor shëndetësor”, 31 maj 2013 në Berat dhe 1 konferencë shkencore në rang Fakulteti të Shkencave Mjekësore me referime të studentëve në bashkëpunim me pedagogët e departamentit, me tëmë: “Kërkimi shkencor në këndvështrimin studentor”, 10 maj 2013 në Tiranë.
Në vitin akademik 2013-2014 Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë ka vazhduar me traditën e konferencave shkencore si në angazhimin e studentëve ashtu edhe të stafit akademik. Konferencat e zhvilluara gjatë këtij viti akademik janë: Konferenca studentore me temë “Punimi shkencor në këndvështrimin studentor”, në 25 prill 2014, në Tiranë dhe konferencën e tretë shkencore me temë “Infermieria në kujdesin geriartrik” në 30 maj 2014, në Filialin e Fierit.
Ndërsa për vitin akademik 2014-2015 Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë ka vijuar më tej me ecurinë e konferencave shkencore të para në dy këndvështrime si në angazhimin e studentëve ashtu edhe të stafit akademik. Konferencat që u zhvilluan gjatë këtij viti akademik janë: konferenca studentore me tëmë “Sfida të reja në Mjekësinë Moderne”, në 17 prill 2015, në Tiranë dhe konferencën e katërt shkencore me tëmë “Infermieria në kujdesin neurologjik” në 26 qershor 2015, po në Tiranë.
Për vitin akademik 2015-2016 departamenti organizoi 1 leksion të hapur me temë ”Tekarterapia në Fizioterapi“ datë 16.01.2016, me pjesëmarrjen e lektorëve Italian dhe Shqiptare. Konferencën e V-të shkencore me temë “Kujdesi Shëndetësor në Obstetrik-Gjinekologji”, në 23 Prill 2016 si dhe konferencën studentore në nivel Fakulteti me temë “Të rejat inovative në fushën e mjekësisë” datë 28.04.2016.
Për Vitin Akademik 2016-2017 Departamenti Infermierisë dhe Fizioterapisë, i ka kushtuar rëndësi të veçantë aktiviteteve dhe kërkimit shkencor, gjithnjë më qëllim të ngritjes së vlerave krijuese, shkencore e pedagogjike, gjithnjë në hap me kohën moderne. Mësimdhënia dhe puna kërkimore – shkencore janë të pandara nga kërkesat e shoqërisë për zhvillim të shpejtë dhe të pa ndërprerë. Departamenti ka zhvilluar një Leksion i hapur me temë: “Parandalimi sekondar në Fizioterapi, roli i fizioterapistit ne depistimin e pacientëve në moshën pediatrike”, me date 1 Mars 2017, gjithashtu me date 12 Prill 2017, ka organizuar një tjetër leksion te hapur me temë: “Ndihma e parë e pacientit në arrest kardiak”. Ashtu sikurse çdo vit akademik, departamenti organizoi me date 24 Mars 2017 Konferencë studentore me temë: “Kërkimi shkencor në këndvështrimin studentor”. Departamenti në bashkëpunim me qendrën Professional Training Center I’LINGUA ka organizuar me datë 28 Mars 2017 dhe 19 Prill 2017 dy Konferenca me temë “Konferencë informimi për punësim në Gjermani” për studentët e Infermierisë dhe Fizioterapisë të cilët shprehin interes për punësim në Gjermani. Me datë 21, 22 Prill 2017 Departamenti ka organizuar Konferencën e I-rë Ndërkombëtare me temë “Shkencat mjekësore Klinike dhe Kirurgjikale” me pjesëmarrje të profesionisteve të fushës.
Tashmë, Departamenti i Infermierisë dhe Fizioterapisë është në përgatitje për konferencat e vitit akademik 2018-2019. Gjithashtu në të gjitha datat e shënuara që lidhen me shëndetin Departamenti aktivizon studentë për të ofruar shërbime të ndryshme sipas patologjive.